Ferizaj 20 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.I. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 18 mars 2021, në Ferizaj, pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që ditën kritike, në kuadër të planit operativ nga ana e Njësisë së DHTN-së në Ferizaj, me rastin e ndaljes dhe kontrollit tek i pandehuri janë gjetur dhe sekuestruar shtatëmbëdhjetë (17) qese, me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 18.94 gram të përgatitura për shitje.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.