Ferizaj 20 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale kanosje nga neni 181 paragrafi 2 të KPRK-së.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Fitore Daci, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 18.03.2021, në Shtime pikërisht te Enti Special, me dashje e dëmton pronën e të dëmtuarës Entin Special, në atë mënyrë që fillimisht një zingjir e vendos në portën e këtij enti, pastaj me veturën e tij e godet portën e tillë duke e dëmtuar, ndërsa në kohën datën dhe vendin e njëjët i pandehuri seriozisht e kanos me privim nga jeta të dëmtuarin rojën e Entit Special në Shtime-A.H, me fjalët se ‘’do të ju kalli dhe do të ju qoj në hënë krejtve’’, duke i shkaktuar shqetësim dhe frik të dëmtuarit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjykata me rastin e vendosjes pati parasysh faktin dhe pretendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të cilët kontestonin kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se edhe me masa me të buta do të sigurohej prezenca e të pandehurit në procedurë si dhe do të pamundësonin të njëjtin që të përsërisë veprën penale, por gjykata vlerëson se aplikimi i masave më të buta (arrestit shtëpiak), por edhe i masave tjera, nuk është i mjaftueshëm për të pamundësuar që i pandehuri të mos kryej vepra penale të tilla apo të ngjashme.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.