Ferizaj 2 prill 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 7 mars 2021, në Kaçanik, së bashku me të pandehurin L.T., me dashje kanë tentuar që t’i provojnë nga jeta të dëmtuarit F.L., A.S., dhe K.Ç. në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të ndodhur një natë më parë, në mes vëllait të pandehurit F.L – S.L. dhe të pandehurit L.T., të njëjtit natën kritike me tu takuar me të pandehurit F.L., S.S. dhe K.Ç. fillojnë të shtien në drejtim të tyre me armë zjarri-pistoletë 9mm, me ç ‘rast nga të shtënat lëndime trupore pëson i dëmtuari K. Ç. në pjesën e pasme të shpinës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e lajmërimit në stacionin policor, apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme për parandalimin e të pandehurit për të mos përsëritur kryerjen e veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.