Ferizaj 24 prill 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës D.B. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 2 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Elmaz Zenuni, ka vërtetuar faktin se i pandehuri më 19.04.2021 pasi ka konsumuar sasi të madhe të alkoolit, ka grushtuar tri here në pjesë të ndryshme të trupit viktimën – vëllanë e tij N.B., ndërsa i njëjti edhe më 08.04.2021 dhe 10.04.2021, raste të raportuara në polici ka sulmuar po ashtu vëllanë e tij N.B. dhe ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të vetë (të mitur), për çka të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa aktualisht janë strehuar në një strehimore në Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.