Ferizaj 11 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.M.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal – Fitore Krivanjeva – Daci, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 09.05.2021, në rrugën Ferizaj- Shtime, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Volkswagen Golf 1.9 TDI”, nga pakujdesia, ka shkelur ligjin mbi trafikun publik, ka rrezikuar jetën e njerëzve, duke veprua në kundërshtim me dispozitën e nenit 53.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, nuk i’a ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, kushteve në rrugë, ashtu që me të hyrë në kthesë në anë e majtë të drejtimit të lëvizjes, frenon, automjeti bartet dhe kalon në anën e kundërt të anës së majtë të rrugës dhe i godet fëmijët tani të ndjerët L.Rr. dhe D.B., të cilët ishin jashtë rrugës, i pandehuri rrokulliset me automjet dhe bie në lumë, të ndjerët për shkak të lëndimeve dërgohen në QKUK-Prishtinë, ku më 09.05.2021 është konstatuar vdekja e tyre.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me KPPRK-në, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale, ku viktima janë dy fëmije të moshës tejet te re. Po ashtu gjykata ka vlerësuar edhe rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale, e cila është në rritje enorme, mënyrën e kryerjes, pasi që dëmi i shkaktuar është me pasoja vdekje për jetën e dy fëmijëve tani të ndjerë, andaj ekziston rreziku real dhe potencial, se po që se i njëjti të gjendet në liri, mund të pengojërrjedhën e procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.