Ferizaj, 17 qershor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim lirues ndaj të pandehurit H.S. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, nuk ka gjetur se në veprimet e te pandehurit manifestohen elementet e veprës penale për te cilën akuzohet, andaj të njëjtin e ka liruar nga akuza për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 9 të KPRK-së.
I pandehuri H.S. akuzohet se i shtyrë nga motive të ulëta, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.Sh., ish kryeshef i Policisë së Kosovës, në periudhën e paraluftës në Kosovë, në atë mënyrë që më 21.10.2004, në rrugën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj, derisa i ndjeri ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, i njëjti me armë ka shti disa herë në drejtim të tij dhe me atë rast nga lëndimet e marra vdes në vendin e ngjarjes, ndërkaq i pandehuri ikë nga vendi i ngjarjes mirëpo, në vendin e ngjarjes i mbetet portofoli me dokumentet personale dhe atë: letërnjoftimi, patent – shoferi dhe disa fotografi personale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.