Ferizaj, 8 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.B. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari individual i Divizionit Penal Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor për veprën penale si në aktakuzë, të njëjtin e shpalli fajtor dhe gjykoi me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej njëqindetetëdhjetë (180) ditëve.
I pandehuri akuzohet se më 10.06.2021 në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre, me dashje ka përdorur force fizike ndaj të dëmtuarës bashkëshortes së tij M.B., në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri kishte kërkuar nga e dëmtuara që të konsumon alkool dhe të kenë marrëdhënie seksuale ku në momentin që e dëmtuara kishte kundërshtuar, i pandehuri kishte filluar ta ofendoj me fjalët të ndryshme më banale, e pastaj e kap për flokë dhe e sulmon duke e goditur me duar në pjesë të ndryshme të trupit, me të cilin veprim i shkakton lëndime të lehta trupore, me dëmtim të përkohshëm për shëndetin.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.