Ferizaj 4 gusht 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S. shtetas Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 02.08.2021, në Ferizaj ka sulmuar personat zyrtarë – policët gjatë kryerje së detyrës zyrtare, duke u shkaktuar lëndime trupore, në atë mënyrë që të dëmtuarit policët – B.V. dhe A.R., të cilët kishin qenë të angazhuar në planin operativ Anti Covid dhe derisa ishin duke i larguar klientit nga një lokal, i pandehuri fillimisht i kishte fyer, pastaj i kishte sulmuar fizikisht duke u shkaktuar lëndime trupore të përshkruara si në raporte mjekësore të Qendrës Emergjente në Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Paraburgimi do të mbahet në Qendrën e Paraburgimit dhe nga aty dërgohet në Institutin e Fornezikës Psikiatrike në Prishtinë, me qëllim ekzaminimi psikiatrik dhe konstatim-Observim të natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjes së sëmundjes mendore, ndikimin që ka pasur gjendja mendore si dhe faktin se a e ka mundur ky i pandehur për ti kuptuar veprimet e tij në kohën e kryerjes së veprës penale më 03.08.2021, a është i aftë për ta mbrojtur veten të konsultohet me personat të tjerë, përkatësisht me mbrojtësin, aftësinë për ta kuptuar akuzën dhe a është i aftë për ta përballuar gjykimin. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.