Kaçanik 4 gusht 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), i njëjti lirohet në procedurë të rregullt.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Degës në Kaçanik – Burhan Berisha, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, kërkesën prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar si të pabazuar, pasi me asnjë prove të vetme nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se i njëjti më 02.08.2021 në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit i kanos seriozisht me fjalë se do t’i privoj nga jeta të dëmtuarit E.L. dhe Q.L. në atë mënyrë që për shkak të problemeve pronësore me të dëmtuarit-vëllezërit e tij i kanos me fjalët: “Dilna prej shtëpisë që na kanë lënë prindërit se ndryshe do tu vras, do të bëhet keq e më keq”, me ç’rast të dëmtuarve u ka shkaktuar shqetësim dhe frikë.
Gjykata vlerëson se në këtë rast, nuk ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, si kusht themelor për caktimin e masës së paraburgimit si dhe edhe po të përmbushej ky kusht prapë nuk do të ishin përmbushur kushtet e parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), pasi për caktimin e masës së paraburgimit kërkohet që në mënyrë kumulative të plotësohen disa kushte të përcaktuara me KPPRK. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.