Ferizaj 21 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 19.09.2021 viktima B.K. ishte i ulur në një ulëse të qytetit afër kioskut të dyshuarit dhe deri sa i dëmtuari ishte duke qëndruar në ulëse , i pandehuri i drejtohet me fjalët “ Pse po me shikon”, kurse i dëmtuari i përgjigjet të dyshuarit “Sytë i kam me kqyr”. Pas këtyre fjalëve të të dëmtuarit, i pandehuri dhe i dëmtuari fyhen në mes vehte dhe gjatë fjalosjes i pandehuri del nga kiosku perleshet fizikisht me viktimën dhe në një moment e sulmon të dëmtuarin duke e goditur me thikë në kokë dhe si pasojë i shkakton lëndime trupore të evidentuara me raportin mjekësor.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar si të pa bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.