Ferizaj, 7 nëntor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës E.H. shtetase e Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura më 5 nëntor 2021, në Ferizaj, me dashje dhe përgatitje paraprake, ka tentuar që ta provoj nga jeta të dëmtuarin P.A. në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje mes tyre, nxjerr një thikë, të cilën paraprakisht e kishte marr me vete nga shtëpia e saj dhe me të njëjtën e godet të dëmtuarin një herë në pjesën e abdomenit, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka i njëjti më pas detyrohet të kërkojë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.