Ferizaj, 27 maj 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit E.M., i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin E.M., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetë (8) vite, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri E.M., akuzohet për shkak se më datë 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, me dashje eventuale shkel nenin 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugorë, në atë rast se duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në kushtet e rrugës në vendbanim, si dhe duke mos respektuar rregullat e komunikacionit tejkalon në vij të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugorë dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” , me ç`rast në këtë aksident në vendin e ngjarjes ndërrojnë jetë katër (4) persona ndërsa një (1) person në QKUK në Prishtinë, gjithashtu dy të tjerë pësojnë lëndime.
Të pandehurit E.M., me aktvendim të veçantë i caktohet masa e paraburgimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.