Ferizaj, 21 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.Sh., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhuna në familje nga neni 248 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.Sh., më 19 dhjetor 2022 në një fshat të Komunës së Shtimes, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare në vazhdimësi me dashje ushtron dhunë psikologjike ndaj të dëmtuarës bashkëshortes së tij – H.Sh., në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ishte duke përgatitur për të shkuar në punë, i pandehuri fillimisht me një ton të lartë i thotë “nuk ki me shku në punë” dhe pastaj e ofendon me fjalë të rënda. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim emocional, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.