Ferizaj, 23 janar 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve; H.K., L.P., Sh.P. dhe Sh.Q., të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila është përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, si në vijim:
I pandehuri H.K., për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1; veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri L.P., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1; veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri Sh.P., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri Sh.Q., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Kryetari i Trupit Gjykues – Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin H.K., për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1; veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shpall fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë (10) muaj. Të pandehurin L.P., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shpall fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, ndërsa për veprën penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), gjykata ka marrë aktgjykim refuzues pasi që prokurori i shtetit është tërhequr nga aktakuza. Gjithashtu, të pandehurit Sh.P. dhe Sh.Q., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shpallen fajtor dhe të njëjtit secilin veç e veç i gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj. Të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.