Ferizaj, 6 prill 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit M.I., i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale në vazhdim vjedhja nga neni 313 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti si dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) €.
I pandehuri akuzohet se më datat 12, 23 shkurt 2023 dhe 6, 7, 9, 10, 12, 23 mars 2023 si dhe më datë 1 prill 2023 në lokale dhe lagje të ndryshme në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo për persona të tjerë, i merr pasurinë të dëmtuarve, me ç` rast me veprime të tij ka kryer veprën penale në vazhdim vjedhja nga neni 313 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Të pandehurit M.I., me aktvendim të veçantë i caktohet masa e paraburgimit.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.