Ferizaj, 9 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.Ç., i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar udhe arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vite e nëntë (9) muaj e njëzet e nëntë (29) ditë, për veprat penale të trafikimit me narkotikë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 22 paragrafi 1 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale (Ligji nr. 04/L-213) dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej katër dhjetë (40) ditëve.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.