Paraburgim ndaj dhjetë (10) të dyshuarve, për trafikim me armë

Paraburgim ndaj dhjetë (10) të dyshuarve, për trafikim me armë

Ferizaj – 26 korrik 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dhjetë (10) të pandehurve M.Sh, P.F, A.F, A.F.1. R.M, N.M, P.M, I,R , pas shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe të pandehurve B.A, dhe F.U për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së.

Të pandehurit, dyshohet se gjatë vitit 2018 dhe 2019 në Ferizaj dhe disa vende tjera të Kosovës, në kundërshtim me Ligjin mbi Armët, në mënyrë të paautorizuar kanë importuar armë – municion të kalibrit të ndryshëm të cilat i kanë siguruar nga një person  i panjohur nga Republika e Maqedonisë, kryesisht armë me gaz deri në kufirin e Republikës së Kosovës, të cilat armë pastaj janë shitur tek të pandehurit dhe persona të ndryshëm.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.