Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për lëndim trupor dhe armë mbajtje pa leje

Paraburgim ndaj dy të dyshuarve për lëndim trupor dhe armë mbajtje pa leje

Ferizaj 8 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.Z. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafin 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së, si dhe të pandehurit M.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri B.Z. më 06.03.2021 fshatin Doganaj – Komuna Kaçanik, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të pandehurit S.S., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, fillimisht përleshet me te pandehurit S; M; dhe R.S. më pas nxjerr revolen dhe në përleshje e sipër shtie me armë në drejtim të tokës, me ç’rast e godet të dëmtuarin nën gjurin e këmbës së majtë duke i shkaktuar lëndime trupore. Ndërsa i pandehuri M.S. dyshohet se në kohë dhe vend të njëjtë me dashje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, e sulmon fizikisht të pandehuri B.Z., në atë mënyrë që si pasojë e një mosmarrëveshje të përshkruar si më larte, me shufër metalike përderisa i njëjti ishte i rrëzuar për tokë, i pandehuri e godet të njëjtin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasoje e këtyre goditjeve, i njëjti pëson lëndime trupore.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marr parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit,  pasi po të gjenden në liri të njëjtit mund të ndikojnë tek bashkëpjesëmarrësit si dhe tek dëshmitarët, të cilët nuk janë dëgjuar nga ana e prokurorisë, po ashtu duke marr parasysh peshën e veprave penale, dhe rrethana në të cilat është kryer vepra penale, për faktin se vepra penale është kryer me përdorimin e armës dhe përdorimin e shufrës metalike, se të pandehurit janë në marrëdhënie familjare në mes vete, nip e dajë dhe se e tërë ngjarja e ditës kritike ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje rreth një borxhi të mëparshëm, andaj ekziston rreziku serioz se po që se të njëjtit do të lihen në liri mund të përsërisin vepra penale me pasoja edhe më të rënda.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.