Paraburgim ndaj A.M. për veprën penale të kryer në vazhdim mashtrimi

Paraburgim ndaj A.M. për veprën penale të kryer në vazhdim mashtrimi

Ferizaj 29 prill 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ë kryer në vazhdim mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2021, në një fshat të Komunës së Ferizajt, në vazhdimësi me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK, dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person që ka mundësi të ndihmojë në shërimin e B.S. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material të dëmtuarave V.S dhe B.S., i mashtron të njëjtat duke e vazhduar lajthimin, në atë mënyrë që të njëjtat i nxit që ti japin para në vlera prej 9.900 euro, për shërimin e dhëmbëve, shërbime noteriale, ilaqe të mushkërive, për shërimin e B.S. në një spital privat në Prishtinë dhe Tiranë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.