Paraburgim ndaj E.K. i dyshuar për veprën penale vjedhje

Paraburgim ndaj E.K. i dyshuar për veprën penale vjedhje

Ferizaj 18 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj më 17 shtator 2021, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.K.. shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vjedhje nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 16.09.2021 në Ferizaj, përkatësisht tek bashkimi i qytetit, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj që vetit ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme, nga vend punishtja e kompanisë ’’…’’ pronë e të dëmtuarit V.S., kishte marrë profile metalike të gjatësisë prej një (1) metër gjithsej dhjetë (10) copa dhe tridhjetë (30) copë skrape metali, të cilat i kishte të ngarkuar në karrocë dore të gatshme për ti shitur, por i njëjti është hasur në një patrollë policore dhe është shoqëruar për në Stacioni Policor.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.