Paraburgim ndaj E.M. i dyshuar për veprat penale të narkotikëve

Paraburgim ndaj E.M. i dyshuar për  veprat penale të narkotikëve

Ferizaj, 3 nëntor 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 1 nëntor 2022, në një rrugë të Ferizajt, i pandehuri pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që ditën kritike, me rastin e kontrollit nga ana e zyrtarëve policor, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuan, e ndarë në sasi të vogla dhe e përgatitur për shitje, duke vendosur në shtatë (7) foli alumini në sasi prej 6.87 gram dhe një qese tjetër najloni në sasi prej 13.16 gram.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.M., e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.