Caktohet masa e paraburgimit ndaj Q.M., i dyshuar për dy vepra penale

Caktohet masa e paraburgimit ndaj Q.M., i dyshuar për  dy vepra penale

Ferizaj, 21 dhjetor 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Q.M., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale sulmi nga neni 184 paragrafi 1; kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri Q.M., më 18 nëntor 2022, në një fshat të Komunës së Kaçanikut, saktësisht në shtëpinë e tyre, pas një mosmarrëveshje që kishin me bashkëshorten e tij – të dëmtuarën F.M., me dashje ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarës, duke e kapur për flokë dhe marrur telefonin celular të saj, por se e njëjta nuk kishte kërkuar tretman mjekësor, me të cilat veprime dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lart, i pandehuri pas një mosmarrëveshje që kishte me bashkëshorten e tij – të dëmtuarën F.M.,  në atë mënyrë që me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, e kanos të dëmtuarën me fjalë me përmbajtje kërcënuese. Me ç` rast tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri, me të cilat veprime i pandehuri Q.M., dyshohet se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditëve.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.