Paraburgim ndaj A.L., i dyshuar për veprën penale falsifikimi i parasë

Paraburgim ndaj A.L., i dyshuar për veprën penale falsifikimi i parasë

Ferizaj, 14 prill 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 269 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.L, më datë 13 prill 2023, (dyshohet në vazhdimësi) në Ferizaj në bashkëkryerje edhe me të pandehurit T.L., Q.K., A.A., L.L. dhe V.F., me dashje dhe me qëllim që vetes t`i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, transportojnë para të falsifikuara nga Republika e Maqedonisë për në Republikën e Kosovës, përmes pikës kufitare, me qëllim që t’i vënë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që fillimisht paratë e falsifikuara i sjellin nga Republika e Maqedonisë, më pastaj i shpërndajnë duke i vënë në qarkullim në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës, ndërsa me datë 13 prill 2023, në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, në parkingun e një restoranti, me aplikimin e masave të veçanta hetimore, i pandehuri arrestohet nga Policia e Kosovës pas shkëmbimit të shumës së parave të dyshuara si të falsifikuara prej dhjetëmijë (10.000) € të cilat edhe sekuestrohen.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.