Paraburgim ndaj F.B., i dyshuar për veprën penale grabitja

Paraburgim ndaj F.B., i dyshuar për veprën penale grabitja

Ferizaj, 28 shtator 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitja nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 20 shtator 2023, rreth orës 21:30, në një rrugë në qytetin e Ferizajt, përkatësisht në afërsi të postës së madhe, i pandehuri me dashje dhe me përgatitje paraprake, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka kryer grabitje në dëm të të dëmtuarit U.M., në atë mënyrë që me anë të kanosjes serioze dhe përdorimit të mjetit të rrezikshëm – thikës për t`a sulmuar jetën apo trupin e të dëmtuarit, i`a merr një telefon të markës “Samsung A13”, duke i shkaktuar dëm material në shumë prej dyqind (200) euro.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.