Caktohet masa e sigurisë ndaj katër (4) të dyshuarve për veprat penale fajdeja

Caktohet masa e sigurisë ndaj katër (4) të dyshuarve për veprat penale fajdeja

Ferizaj, 26 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së sigurisë kundër të pandehurve si vijon: J.K., i dyshuar për shkak të veprës penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 të KPRK-së; M.K., i dyshuar për shkak veprës penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 1 të KPRK-së; M.M., i dyshuar për shkak të veprave penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 2; në bashkëkryerje fajdeja nga neni 331 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së; K.I., i dyshuar për shkak të veprës penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) të pandehurve: J.K., M.K., M.M., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë, ndërkaq sa i përket të pandehurit K.I., i caktohet masë e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.