Paraburgim ndaj P.B., i dyshuar për veprën penale lëndimi i lehtë trupor

Paraburgim ndaj P.B., i dyshuar për veprën penale lëndimi i lehtë trupor

Ferizaj, 22 nëntor 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti i Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21 nëntor 2023, në një rrugë në qytetin e Ferizaj, saktësisht në biznesin e tyre, me përdorimin e forcës i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës – bashkëshortes së tij F.S.- viktimë e ndjeshme për shkak të marrëdhënieve familjare që kanë, rrethanë kjo e cila ndaj të pandehurit e bënë veçanërisht të ndjeshme ndaj viktimizimit të përsëritur, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara kishte shkuar në biznesin e tyre dhe posa hynë brenda, aty kishte qenë i pandehuri, ku i njëjti ia kishte kërkuar pazarin ditor dhe e dëmtuara i kishte thënë se “ato para më duhen mua” i njëjti ia kishte kapur portofolin dhe ia kishte marrë paratë, e pastaj e dëmtuara kishte tentuar të dal nga lokali duke i thënë se “tani do të lajmëroi policinë”, ku i njëjti ia kishte bllokuar derën me trupin e tij e më pas e kishte kapur për fyti dhe flokë duke e rrëzuar dhe e godet një herë me shuplakë në fytyrë, ku nga këto veprime të të pandehurit e dëmtuara pëson lëndime trupore ku për atë lëndime posedon edhe raporte mjekësore të lëshuara nga Shërbimi Emergjent Primar në Ferizaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.