Ferizaj, 11 mars 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Shtërpcë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.N., dhe të njëjtit i caktoi masën e arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe veprës penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se nga data e pa vërtetuar e deri më datë 9 mars 2024, në një vend në Prizren, saktësisht në shtëpinë e tij, i pandehuri në kundërshtim me Ligjin e aplikueshëm për armë të Republikës së Kosovës Nr.05/L-022, ka mbajtur në posedim pa leje dhe pa autorizim përkatës një pistoletë e tipit “Zoraki M906-B, me kalibër 7.65mm dhe municion të pistoletës prej 34 copë fishekë, të cilat i janë sekuestruar nga ana e policisë si provë materiale dhe këtë armë i pandehuri e kishte mbajtur pa pasur leje nga organi kompetent, me çka kishte kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 9 mars 2024, në një fshat të komunës së Shtërpcës, saktësisht tek shtëpia e S.S., i pandehuri në kundërshtim me Ligjin e aplikueshëm për armë të Republikës së Kosovës Nr.05/L-022, me dashje përdorë armën e tipit “Zoraki M906-B, me kalibër 7.65mm, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht shkon për një vizitë tek vendi i cekur më lartë për të vendosur një kurorë përkujtimore, tek vendi ku i njëjti pretendon se gjendet varri i gjyshit të tij dhe në momentin që vërejnë se mbi të ishte ndërtuar një shtëpi, i pandehuri në shenjë revolte me të njëjtën armë shtëni dy herë në ajër, e më pas arma në fjalë dhe municioni i sekuestrohet nga ana e policisë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka refuzuar për të cilën të pandehurit i cakton masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj konform dispozitave të KPPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e vendosjes lidhur me masën e arrestit shtëpiak pati parasysh personalitetit e të pandehurit, moshën e tij andaj duke marrë parasysh tërësinë e këtyre fakteve që u përmendën më lartë, konstaton se edhe me masën e arrestit shtëpiak do të mundësohet zhvillimi normal dhe i rregullt i procedurës penale si dhe do të shmangej mundësia e përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes së të pandehurit.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.