Paraburgim ndaj A.D., i dyshuar për veprat penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Paraburgim ndaj A.D., i dyshuar për  veprat penale vrasja në tentativë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve

Ferizaj, 30 prill 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 35 neni 28; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri më datë 26 prill 2024, rreth orës 23:30 në një rrugë të qytetit të Ferizajt, kanë tentuar që të privojnë nga jeta të dëmtuarin G.I., G.H., Sh.G., E.H., dhe A.N., në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme me të dëmtuarin Sh.G., të pandehurit kanë bërë marrëveshje për të kryer veprën penale, kështu që kanë ardhur nga Prishtina me dy vetura dhe janë ndaluar në rr. “Z.H.”, duke pritur derisa të dëmtuarit kanë dal nga kafeteria “L”, me ç ‘rast i pandehuri A.D., ka filluar të gjuaj me armë zjarri në drejtim të dëmtuarve si dhe duke përdorur fjalë fyese “Edhe në Ferizaj këna me jav …”, me ç ‘rast nga të shtënat kanë pësuar lëndime trupore G.H. dhe G.I., pastaj të pandehurit janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë ka mbajtur në posedim pa autorizim armën në kundërshtim me nenin 5 të ligjit mbi armët 05/L-022, të cilën e ka përdorur me qëllim të privimit nga jeta të dëmtuarit dhe atë një pistoletë të markës “Zoraki” e llojit M906-B, me një karikator pa fishek e cila është sekuestruar nga policia.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.