Ferizaj 11 nëntor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.B. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Trafikimi me njerëz nga neni 165 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtarja e procedurës paraprake e DKR – Kadrije Goga Lubishtani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, ku në rastin konkret i pandehuri që nga muaji shkurt e deri në nëntor në lokacione të ndryshme të qytetit të Ferizajt dhe Kaçanik, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka keqpërdorur të dëmtuarën N.Xh, e cila është me aftësi të kufizuar mendore, ashtu që të njëjtën e ka mbajt në kontroll dhe e ka trafikuar tek persona të ndryshëm për qëllime seksuale në këmbim të parave, të cilat më pas i ka përvetësuar.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.